Aksion policor në Suharekë: Sekuestrohen drogë, armë dhe mjete të rrezikshme, një i dyshuar ndalohet për 48 orë

Posted by

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Suharekë, ku gjatë një kontrolli në një banesë janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike, armë dhe mjete të rrezikshme.

Sipas njoftimit zyrtar, më 11 mars 2026 hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit me inicialet L.Sh., pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

Gjatë kontrollit policor janë zbuluar rreth 178.72 gramë substancë e dyshuar marihuanë dhe 0.91 gramë substancë e dyshuar kokainë.

Po ashtu, policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri automatike (e dyshuar me gas) e markës BLOW/SWAT pa numër serik, së bashku me një karikator dhe 16 fishekë të kalibrit 9 mm. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe një rrotull foli alumini dhe një telefon mobil.

Gjatë kontrollit janë zbuluar edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale, të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës, të cilat konsiderohen mjete potencialisht të rrezikshme.

Në banesë janë gjetur gjithashtu 350 euro dhe 60 franga zvicerane para të gatshme, si dhe një çelës i derës së banesës.

Për shkak të mjeteve të rrezikshme, në vendin e ngjarjes është thirrur edhe njësia EOD, e cila ka bërë tërheqjen e tyre për trajtim dhe asgjësim të sigurt.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në qendrën e ndalimit.

Rasti është iniciuar për veprat penale sipas nenit 267 dhe nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *