Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në përvjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981 ka zhvilluar një vizitë te veprimtari i njohur i çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi.
Përmes një postimi publik, Kurti ka rikujtuar historinë dhe kontributin e Hajrizit në lëvizjen kombëtare, duke theksuar se ai vjen nga një familje me traditë të gjatë aktivizmi politik dhe përndjekjeje nga regjimi serb.
“Dje, në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981, të cilat shpejt u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore, ishim për vizitë te veprimtari i çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, Hajrizi për shumë vite ka punuar në arsim, duke edukuar gjenerata të tëra nxënësish, ndërsa për shkak të aktivitetit politik është përballur edhe me arrestime nga autoritetet e atëhershme.
Kurti ka kujtuar edhe momentet e vështira të jetës së tij, duke përmendur arrestimin e parë në vitin 1979 dhe një tjetër arrestim që ndodhi në sallën e mësimit, para nxënësve të tij.
Në reagimin e tij, Kurti ka rikujtuar edhe organizimin ilegal të viteve ’70, duke përmendur organizatën “Grupi Revolucionar i Kosovës”, e cila për një periudhë u udhëhoq nga Mehmet Hajrizi, pasi fillimisht ishte drejtuar nga Kadri Osmani.
Ai ka përmendur edhe kontributin e Hajrizit në shtypin klandestin të kohës, ku shërbeu si kryeredaktor i materialeve dhe gazetave ilegale që promovonin rezistencën dhe kërkesën për liri dhe Republikë.
Sipas Kurtit, Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe më 10 korrik 1982 u dënua me 12 vjet burg të rëndë. Pas tij, drejtimin e organizatës e mori Kadri Zeka, i cili një vit më vonë u vra bashkë me Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla.
Në fund, Kurti theksoi se lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që punuan ndër vite për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.






Leave a Reply