Kanë kaluar vetëm pak ditë nga përfundimi i Big Brother VIP Kosova, por jeta e ish-banorëve jashtë shtëpisë po ndiqet me shumë vëmendje nga fansat. Një nga dyshet më të përfolura të këtij edicioni, Elijona Binakaj dhe Klodian Mihaj, kanë vazhduar të shihen shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit edhe pas përfundimit të spektaklit, duke nxitur aludime për një romancë të mundshme mes tyre.
Së fundmi, dyshja u pa bashkë me fituesin e këtij edicioni, Londrim Mekaj, gjatë një eventi në Durrës, ku u bë hapja e dyqanit të markës së njohur Elisabetta Franchi. Daljet e shpeshta publike kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave dhe kanë shtuar komentet në rrjetet sociale.
Përballë gjithë këtyre spekulimeve, Elijona Binakaj vendosi të reagojë publikisht përmes një mesazhi në grupin e saj me fansat në Instagram.
“Njerëz, sinqerisht do t’ju lutesha të qetësoheshit në raport me mua dhe Klodin. Ne jemi thjesht miq! Ju lutem ndaleni urrejtjen dhe thjesht duani njëri-tjetrin,” – ka shkruar ajo, duke tentuar t’i japë fund aludimeve që qarkullojnë në rrjet.
Edhe pse kimia mes tyre ishte e dukshme gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, duket se jashtë kamerave dyshja ka vendosur ta mbajë raportin vetëm në kuadër të miqësisë.
Për momentin, Elijona Binakaj e ka bërë të qartë: mes saj dhe Klodian Mihaj nuk ka asgjë më shumë se shoqëri.





