Një moment i papritur ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, ku një dron ka sjellë një mesazh surprizë për DJ Gimbo.
Mesazhi “Forca King” ka tërhequr menjëherë vëmendjen e banorëve, të cilët nisën të aludojnë se kush mund ta kishte dërguar. Edhe vetë Gimbo reagoi duke thënë se nëse mesazhi ishte për të, atëherë mund të vinte nga miku i tij i ngushtë, Gjesti.
Megjithatë, situata bëhet edhe më intriguese pasi DJ nga Kosova nuk është në dijeni të zhvillimeve të fundit jashtë shtëpisë. Aktualisht, Gjesti ndodhet në paraburgim, pasi ndaj tij është caktuar masa prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ai dyshohet për tri vepra penale: “Kanosje”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Mbajtje në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve”.
Sipas raportimeve, ngjarja lidhet me një konflikt të mundshëm me pronarin e kompanisë muzikore Onima, Erkand Shabani.
Ndërkohë, mbetet mister se kush e ka dërguar në të vërtetë dronin dhe nëse mesazhi “Forca King” ishte vërtet për DJ Gimbon apo thjesht një rastësi që ka ndezur imagjinatën e banorëve dhe të publikut.





