Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e vogëlushit pesëvjeçar është stabile dhe në përmirësim, pas ndërhyrjes kirurgjike që iu bë për shkak të plagëve të rënda.
Sipas tij, fëmija kishte qenë në gjendje të rënduar fizike dhe thellësisht i traumatizuar në aspektin psikologjik, me komunikim shumë të kufizuar për moshën që ka.
Ai theksoi se pas trajtimit fillestar, vogëlushi ka filluar të stabilizohet dhe tashmë ka shenja të para të përmirësimit, përfshirë edhe komunikimin verbal.
Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në bashkëpunim mes ekipeve të ortopedisë dhe kirurgjisë plastike, për shkak të dëmtimeve serioze, veçanërisht në njërën shputë. Pas operacionit, ai fillimisht ishte i intubuar, por më pas është stabilizuar shpejt, duke reaguar mirë ndaj trajtimit.
Ministri bëri të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë edhe trajtimin e një anemie të lehtë përmes transfuzionit të gjakut dhe terapive përkatëse.
Megjithatë, sipas tij, sfida më e madhe mbetet trajtimi i traumës psikosociale dhe sigurimi i një ambienti të shëndoshë për të ardhmen e fëmijës.
“Gjendja shëndetësore është përmirësuar dhe pritet rikuperim i shpejtë, por shqetësuese mbetet trauma që ka përjetuar. Po punojmë që t’i sigurojmë një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm,” u shpreh Vitia.
Institucionet përkatëse janë angazhuar tashmë për të ofruar mbështetje të plotë psikosociale, duke përfshirë psikologë, psikiatër dhe specialistë të fushave të ndryshme, me qëllim rikuperimin e plotë të vogëlushit.





