Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Jetmir Jusufi, i cili dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij, Faruk Jusufi, në fshatin Bokshiq, Klinë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 mars, ndërsa i dyshuari përballet me akuzat për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston rreziku që i pandehuri, nëse lirohet ose vendoset nën masa më të buta, mund të ndikojë tek dëshmitarët, përfshirë familjarët që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Në dosje përmenden si dëshmitarë të mundshëm edhe prindi i tyre dhe një vëlla tjetër, si dhe persona të tjerë që pritet të identifikohen gjatë hetimeve.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.





