“Ferma VIP 3” nis zyrtarisht rrugëtimin e saj sonte në mbrëmje, duke sjellë një sezon që pritet të jetë më i fortë dhe më i paparashikueshëm se edicionet e mëparshme.
Që në natën e parë, ky format vjen me një risi të madhe: një numër rekord pjesëmarrësish që hyjnë në fermë menjëherë. Konkurrentët vijnë kryesisht nga fusha e artit, televizionit dhe skenës, duke krijuar një përzierje karakteresh që garanton spektakël të vërtetë — nga tensionet dhe debatet, deri te momentet plot humor dhe aleancat e papritura.
Në krye të këtij edicioni rikthehet moderatorja e njohur Arbana Osmani, një emër shumë i dashur për publikun shqiptar, e cila premton një sezon të mbushur me emocione dhe surpriza.
Formati i “Ferma VIP” mbetet një sfidë e fortë për çdo pjesëmarrës. Jeta në fermë kërkon punë fizike, përkushtim dhe durim, ndërsa loja kërkon strategji, zgjuarsi dhe kontroll emocional. Çdo vendim që marrin konkurrentët ndikon drejtpërdrejt në rrugëtimin e tyre dhe mund të ndryshojë krejtësisht dinamikën e lojës.
Përveç sfidave fizike, një rol kyç do të kenë edhe marrëdhëniet mes banorëve — krijimi i aleancave, besimi dhe tradhtitë janë elementë që shpesh vendosin fatin e lojtarëve.
Duke folur për kastin, Arbana është shprehur:
“Jam e gëzuar që kemi një kast të shkëlqyer. Janë personazhe shumë të njohur, me një histori të gjatë në skenë dhe televizion. Janë njerëz me karrierë dhe një background të rëndësishëm artistik. Jam e sigurt që për 100 ditë do të kemi shumë momente të bukura dhe emocione që do të prekin publikun.”
Ky sezon i tretë pritet të sjellë jo vetëm argëtim, por edhe histori personale, sfida reale dhe përballje që do ta mbajnë publikun të “ngjitur” pas ekranit çdo natë.





