Është bërë publike dëshmia zyrtare e aktorës së njohur turke, Hande Erçel, e cila ka sqaruar qëndrimin e saj lidhur me akuzat dhe aludimet e përhapura në media.
Në deklaratën e saj, Hande Erçel ka theksuar se jeta e saj është e përqendruar te studimet dhe aktrimi, duke mohuar të ketë një jetë nate apo të ketë marrë pjesë në festa private të përmendura në dosje. Ajo ka sqaruar se çdo herë që është gjendur në ambientet e lakuara nga mediat, ka qenë për takime pune dhe jo për argëtim.
Përveç kësaj, aktorja ka hedhur poshtë kategorikisht çdo aludim për përdorim të substancave të ndaluara, duke theksuar se bën një jetesë të shëndetshme dhe të disiplinuar.
“Jam e lënduar për përfshirjen e emrit tim në këtë çështje. Kam 13 vite në ekran dhe gjithmonë jam përpjekur të jem një shembull i mirë për publikun,” ka thënë ajo, duke nënvizuar në fund se nuk pranon asnjë nga akuzat që janë ngritur kundër saj.
Kjo deklaratë vjen pas një vale aludimesh dhe thashethemesh që kanë përfshirë emrin e saj, duke rikujtuar publikun se aktorja synon të ruajë integritetin dhe privatësinë e saj në mënyrë profesionale.




