Integra dhe Admovere kërkojnë falje për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” pas kritikave

Posted by

Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, Integra dhe Admovere, kanë kërkuar falje publike pas reagimeve dhe kritikave të shumta që ka nxitur kjo ekspozitë në Prishtinë.

Përmes një reagimi në Facebook, ata kanë theksuar se qëllimi i ekspozitës ka qenë të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd,” thuhet në reagim.

Megjithatë, duke marrë parasysh reagimet e shumta, organizatorët kanë kërkuar falje të sinqertë për situatën e krijuar, veçanërisht ndaj familjarëve të viktimave dhe të gjithë atyre që janë prekur nga lufta.

“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës… dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar,” thuhet më tej në deklaratë.

Ekspozita është shoqëruar me kritika të forta për pasaktësi në pasqyrimin e disa masakrave, duke nxitur reagime nga qytetarë, figura publike dhe organizata të ndryshme.

Në reagimin e tyre, Integra dhe Admovere kanë bërë gjithashtu thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, duke theksuar rëndësinë e një debati të qetë dhe të respektueshëm.

“Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme,” përfundon reagimi i tyre.