Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në eventin ODI Global në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, ka folur për mënyrën se si Kosova po përballet me krizën globale të naftës dhe sfidat ekonomike.
Në përgjigjen e tij, Kurti theksoi rolin e qeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, duke deklaruar se kabineti i tij ka arritur të kthejë antikorrupsionin në rritje dhe lirinë në zhvillim. Ai shtoi se besimi i qytetarëve vjen si rezultat i qeverisjes me integritet dhe përkushtim ndaj shërbimit publik.
Kryeministri përmendi gjithashtu sfidat e sigurisë, duke akuzuar Serbia për organizim të inkursioneve brenda territorit të Kosovës, gjë që sipas tij ka komplikuar edhe më tej situatën gjatë mandatit të tij.
Sa i përket krizës së çmimeve, Kurti njoftoi se Qeveria po planifikon masa konkrete, përfshirë vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë dhe kufizimin e fitimeve, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e kohezionit social.
Ai theksoi se sundimi i ligjit është thelbësor për stabilitetin, por shtoi se nuk mjafton vetëm drejtësia në gjykata, duke nënvizuar nevojën për drejtësi sociale si element kyç për parandalimin e problemeve ekonomike dhe sociale.
Në fund, Kurti u shpreh se Kosova po jep një shembull pozitiv në përballjen me krizat, por paralajmëroi se ky sukses nuk është i garantuar nëse nuk vazhdohet me reformat dhe mësimet e nxjerra nga situatat e kaluara.





