E ardhmja e Edon Zhegrova vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në mediat sportive, pasi interesimi nga Beşiktaş është përmendur sërish gjatë ditëve të fundit.
Ndërkohë, situata e tij te Juventus po analizohet me kujdes, për shkak të hapësirave të kufizuara që ka pasur këtë sezon. Reprezentuesi i Kosovës, i transferuar nga Lille për një shumë që mund të arrijë deri në 18.5 milionë euro, nuk ka arritur të lërë gjurmë në sezonin e tij të parë në Torino.
Statistikat flasin qartë: zero gola, zero asistime dhe vetëm 447 minuta në 21 paraqitje në të gjitha garat. Lëndimet kanë ndikuar në formën e tij, por edhe mungesa e besimit nga trajneri Luciano Spalletti ka qenë një faktor kyç. Në 11 ndeshjet e fundit, ai ka marrë vetëm tri paraqitje me gjithsej 65 minuta në fushë.
Megjithatë, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Zhegrova nuk ka ndërmend të largohet. Ai dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi në sezonin e ardhshëm, duke e bërë të qartë se prioriteti i tij është të jetë pjesë e projektit të klubit.
Pavarësisht kësaj, vendimi final pritet të merret nga drejtuesit e Juventusit, të cilët mund të vendosin për një transferim gjatë verës nëse situata nuk ndryshon.
Zhegrova ka kontratë me klubin italian deri në qershor të vitit 2030, çka e bën edhe më interesante zhvillimin e kësaj sage në muajt e ardhshëm.





