Një person i dyshuar për krime lufte është arrestuar në fshatin Soçanicë të Leposaviq nga Policia e Kosovës, në kuadër të hetimeve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas burimeve mediale, i arrestuari është D. Pelevic, i cili dyshohet se ka qenë ish-pjesëtar i policisë. Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës më 14 prill 2026.
Bazuar në hetimet e zhvilluara, i dyshuari dyshohet se gjatë marsit të vitit 1999, në Skenderaj, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në operacione policore-ushtarake, ku janë dëbuar me forcë civilët nga pronat e tyre.
Ai dyshohet gjithashtu për rrahje, torturë, plagosje dhe vrasje të 15 civilëve shqiptarë, si dhe për zhdukjen e 16 civilëve të tjerë në dy lokacione në këtë komunë.
Sipas Policisë, i dyshuari ka vepruar në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë, i uniformuar dhe i armatosur, gjatë kohës së luftës.
Pas arrestimit, ai është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.





