Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Malishevën, ku tre persona – babai dhe dy fëmijët e tij – kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në banesën e tyre.
Sipas nënkryetarit të komunës, Vesel Krasniqi, dyshohet se viktimat kanë ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga tymi. Ai bëri të ditur se në momentin kur ekipet emergjente kanë arritur në vendin e ngjarjes, tre viktimat janë gjetur pa shenja jete.
“Fatkeqësisht kemi humbur tre jetë – babai me dy fëmijët e tij. Të gjitha njësitë relevante, përfshirë policinë dhe emergjencën, kanë reaguar menjëherë, por ka qenë e pamundur të shpëtohen”, deklaroi Krasniqi.
Autoritetet, përfshirë policinë dhe prokurorinë, kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende i panjohur.
Ndërkohë, sipas të dhënave fillestare nga stafi mjekësor, dyshohet se viktimat janë asfiksuar nga tymi i krijuar gjatë zjarrit.
Objekti ku ndodhi tragjedia ishte ndërtuar nga komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe shërben për strehimin e përkohshëm të familjeve në nevojë.
Në fund, Krasniqi shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimave në emër të tij dhe të institucioneve komunale.






Leave a Reply