Fituesja e Big Brother VIP Albania, Selin Bollati, ka ndarë emocionet e para pas triumfit në edicionin e pestë të spektaklit më të ndjekur.
Në intervistën e saj, ajo u shpreh se po përjeton një përzierje emocionesh, mes gëzimit të madh dhe një ndjenje të pazakontë pas 120 ditëve izolim. Selini tregoi se fillimisht mendonte se do të qëndronte vetëm 20 ditë në shtëpi, por rrugëtimi i saj zgjati plot katër muaj.
“Jam në një shok emocional, por njëkohësisht shumë e lumtur që ky rrugëtim u kurorëzua me fitore. Tani kam edhe pak frikë të dal jashtë, sepse u mësova me ato kushte,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se përtej çmimit të madh, fitorja më e rëndësishme për të ka qenë dashuria dhe mbështetja e publikut. Sipas saj, Big Brother i ka dhënë shumë më tepër sesa një shpërblim financiar, duke e ndihmuar të fitojë vetveten dhe një lidhje të fortë me ndjekësit.
Selini foli edhe për raportin e saj me Gimbo, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e tyre pritet të jetë premtuese jashtë kamerave.
Ajo kujtoi edhe momentet më prekëse gjatë finales, duke veçuar surprizën me vajzën e vogël dhe mesazhin e babait të saj, të cilin e cilësoi si një nga momentet më emocionale të gjithë eksperiencës.
Fitorja e Selin Bollatit është komentuar gjerësisht në publik, duke e kthyer atë në një nga figurat më të dashura të këtij edicioni.





