Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, ka folur për zhvillimet e fundit politike lidhur me zgjedhjen e presidentit, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ajo komentoi kërkesën e Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar një letër zyrtare për takim, duke theksuar se deri më tani iniciativat kanë ardhur kryesisht nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Kusari-Lilës, PDK-ja, bazuar në deklarimet publike, pret një ofertë të formalizuar me shkrim, megjithatë ajo u shpreh se më e rëndësishme mbetet gatishmëria për diskutim dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Ajo theksoi se, nëse është e nevojshme, ftesa mund të bëhet edhe në formë zyrtare, por thelbi i procesit është që palët të ulen dhe të diskutojnë mbi parimet dhe emrat konkretë për postin e presidentit.
Ministrja nënvizoi se vendi ndodhet në një fazë vendimtare dhe se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet para se të vijë deri te një skenar i padëshiruar, si shpërndarja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.





