Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është distancuar nga deklaratat e deputetit Fatos Geci, i cili kishte uruar burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi gjatë një seance parlamentare.
Deklarata e Gecit, e bërë në një diskutim për energjinë elektrike, shkaktoi reagime të shumta, sidomos pasi ai bëri edhe një paralelizëm të fortë mes Thaçit dhe të dënuarit për vrasje Naim Murseli.
Në reagimin e saj, Nagavci theksoi se qëndrimet e LVV-së për luftën çlirimtare janë të njohura dhe të pandryshuara.
“Qëndrimet tona në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK-së janë publike, të qarta dhe ne qëndrojmë pas tyre. Lufta çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër, dhe ne respektojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit”, deklaroi ajo.
Deklaratat e Gecit kanë ngjallur reagim të ashpër edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila i ka cilësuar ato si të papranueshme.
Kjo situatë ka rikthyer tensionet në skenën politike, duke nxitur debat të gjerë për gjuhën dhe qëndrimet në diskursin publik.





