Gjendet personi që ishte raportuar i zhdukur në Jezercë të Ferizajt

Posted by

Personi që ishte raportuar i zhdukur në fshatin Jezercë të Ferizajt është gjetur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti ishte raportuar më 21 janar 2026, rreth orës 05:00, kur ishte njoftuar zhdukja e një 30-vjeçari, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja.

Bazuar në informacionet fillestare, i njëjti dyshohej se kishte marrë një veturë me targa shqiptare dhe ishte nisur në drejtim të Ferizajt, ku kishte shkaktuar edhe një aksident trafiku në Jezercë.

Policia, në bashkëpunim me njësitë relevante, kishte ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, duke përfshirë kontrollimin e kamerave të sigurisë, verifikime në institucionet shëndetësore dhe kërkime intensive në terren. Në operacion u përfshinë edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 dhe Brigada e Zjarrfikësve.

Personi është gjetur sot, më 23 janar 2026, rreth orës 15:30, në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”, pas njoftimit nga një qytetar. Pas verifikimit, është konfirmuar se bëhej fjalë për personin e zhdukur, i cili është transportuar menjëherë në Qendrën Emergjente në Ferizaj për ndihmë mjekësore.

Policia ka falënderuar të gjitha njësitë e përfshira në operacion, si dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke veçuar kontributin e qytetarit që njoftoi autoritetet për vendndodhjen e personit.