Monika Kryemadhi ka ndarë një rrëfim të pazakontë mbi ndarjen e saj nga ish-bashkëshorti Ilir Meta, duke zbuluar detaje që kanë ngjallur reagime të shumta.
E ftuar në një intervistë me Fiori Dardha në Top News, ajo foli për dyshimet dhe thashethemet që, sipas saj, u përhapën brenda rrethit të afërt të Metës dhe ndikuan drejtpërdrejt në marrëdhënien e tyre.
Sipas Kryemadhit, persona nga ky rreth pretendonin se kishin zbuluar mesazhe komprometuese në telefonin e saj, duke aluduar për një lidhje jashtëmartesore.
Megjithatë, ajo e ka mohuar kategorikisht këtë, duke theksuar se gjithçka ishte e sajuar dhe e manipuluar.
Pika më e pazakontë e rrëfimit lidhet me një numër telefoni të regjistruar në celularin e saj si “zemra ime”. Sipas saj, këto biseda u përdorën si “provë” kundër saj, por gjatë një seance me përfaqësues të SPAK, u zbulua se numri në fjalë i përkiste vetë Ilir Metës.
“Kur u lexua, doli që ‘zemra ime’ ishte numri i Ilir Metës,” u shpreh ajo.
Kryemadhi shtoi se këto dyshime çuan deri në largimin e Metës nga shtëpia dhe në krisjen e marrëdhënies së tyre, ndërsa theksoi se nuk ka më interes për reagimet e tij.
Rrëfimi i saj ka rikthyer në vëmendje një nga ndarjet më të komentuara në politikën shqiptare, duke shtuar edhe më shumë debat mbi atë që ndodhi realisht mes tyre.





