Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për ofertën e bërë nga kryeministri Albin Kurti lidhur me zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Abdixhiku ka theksuar se fillimisht duhet të ketë qartësi politike nga ana e Kurtit, nëse synon një marrëveshje me LDK-në. Sipas tij, në një situatë të tillë, partia që ai drejton është e gatshme të propozojë një kandidat të vetëm dhe jo disa emra.
“Nëse do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë ne mundemi me propozu edhe emra. S’kemi nevojë me propozu tre emra, por vetëm një,” u shpreh ai.
Ai shtoi se nuk e përjashton mundësinë që kandidatura e propozuar të jetë edhe Vjosa Osmani, duke lënë të hapur opsionet për arritjen e një konsensusi politik.
Deklarata e tij vjen në një moment kyç, kur përpjekjet për zgjedhjen e presidentit janë intensifikuar dhe kërkohet një marrëveshje mes subjekteve politike në Kosova.




