Më 21 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, shpalli aktgjykimin për rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademaj.
Sipas vendimit, Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vite burgim.
Megjithatë, pas këtij vendimi, një reagim në rrjetet sociale ka ngjallur reagime të forta. Një familjar i Kokallës, Astriti, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur mbështetje për të dënuarin.
Ai ka publikuar një fotografi me Kushtrim Kokallën, të shoqëruar me mbishkrimin: “Përjetësisht me ty, qoftë burg, qoftë liri.”
Ky qëndrim ka shkaktuar debat dhe reagime të shumta në publik, duke ngritur diskutime mbi mënyrën se si trajtohen raste të tilla edhe nga rrethi familjar i të dënuarve.
Deri më tani, nuk ka raportime që familja e Kokallës të ketë shprehur keqardhje publike ndaj familjes së viktimës për përfshirjen e familjarit të tyre në këtë ngjarje të rëndë.
Rasti i Liridona Ademajt mbetet një nga më të ndjeshmit në opinionin publik, ndërsa zhvillimet pas aktgjykimit vazhdojnë të ndiqen me vëmendje.





