Një studim i fundit nga Imperial College London dhe Institute of Cancer Research ka ngritur shqetësim serioz, pasi ka zbuluar se njëmbëdhjetë lloje të ndryshme të kancerit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme tek të rinjtë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ende nuk ekziston një shpjegim i plotë për këtë fenomen, i cili prej vitesh mbetet një enigmë për komunitetin shkencor.
Sipas të dhënave të studimit, një nga faktorët që mund të lidhet me këtë rritje është shtimi i vazhdueshëm i peshës trupore dhe përhapja e obezitetit që nga vitet ’90. Mendohet se yndyra e tepërt në trup ndikon në hormone si insulina dhe mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kancerogjene, por edhe kjo nuk e shpjegon plotësisht situatën. Në rastin e kanceri i zorrës, për shembull, vetëm një pjesë e vogël e rasteve shtesë lidhen me mbipeshën, ndërsa shumica mbeten të pashpjeguara.
Studimi ka treguar se përveç kancerit të zorrës, po rriten edhe forma të tjera si ai i gjirit, tiroides, pankreasit, mëlçisë dhe veshkave, ndërsa kanceri i zorrës dhe ai i gjirit mbeten më të zakonshmit tek të rinjtë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se pavarësisht rritjes, këto raste janë ende shumë më të rralla krahasuar me grupmoshat më të vjetra.
Një rast që ka prekur opinionin publik është ai i Bradley Coombes, i cili u diagnostikua me kancer në moshën 23-vjeçare pas një periudhe të gjatë simptomash që nuk u morën seriozisht, pikërisht për shkak të moshës së tij të re. Nëna e tij, Caroline Mousdale, ka theksuar se diagnoza e vonuar i kushtoi jetën, duke ngritur shqetësimin për rëndësinë e zbulimit të hershëm.
Ekspertët si Montserrat García Closas theksojnë se edhe pse ky trend është shqetësues, ka mënyra për të ulur rrezikun, si aktiviteti fizik, mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe shmangia e duhanit. Ndërkohë, studiues si Marc Gunter po vazhdojnë të hetojnë faktorë të tjerë të mundshëm, përfshirë ushqimet ultra të përpunuara, ndotjen e ajrit, bakteret e zorrëve dhe ndikimin e kimikateve në ambient.
Edhe pse shumë pyetje mbeten pa përgjigje, shkencëtarët theksojnë se një stil jetese i shëndetshëm mbetet mbrojtja më e mirë kundër shumë formave të kancerit, ndërsa kërkimet për të kuptuar këtë rritje të pazakontë tek të rinjtë vazhdojnë.




