Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar sot në një konferencë për media një raport të organizatës britanike Bar of Human Rights Committee, i cili trajton procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë prezantimit, Qelaj ka theksuar një sërë shqetësimesh të evidentuara në raport, duke përmendur edhe një takim të ish-kryeprokurorit Jack Smith me përfaqësues diplomatikë, ku sipas tij është kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli.
Një tjetër çështje që ka ngritur shqetësim, sipas Avokatit të Popullit, janë deklarimet e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila ka thënë se lirimi i mundshëm i të akuzuarve mund të paraqesë rrezik.
Qelaj theksoi se këto deklarime ngrenë pikëpyetje serioze për parimin e prezumimit të pafajësisë, integritetin e procesit gjyqësor dhe trajtimin e kërkesave për lirimin e përkohshëm.
Ai shtoi gjithashtu se takimi i përmendur me përfaqësues diplomatikë është zhvilluar pa dijeninë e mbrojtjes, gjë që sipas tij përbën një tjetër element shqetësues për transparencën dhe drejtësinë e procesit.
Deklaratat e Qelajt vijnë në një moment kur procesi në Gjykatën Speciale vazhdon të jetë në fokus të opinionit publik dhe debatit institucional në Kosovë.





