Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të marrë në konsideratë tërheqjen e trupave amerikane nga Italia dhe Spanja, si pjesë e një rishikimi të pranisë ushtarake në Evropë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët, Trump u shpreh se një vendim i tillë është “me gjasë” i mundshëm, duke e lidhur këtë me qëndrimet kritike të këtyre dy vendeve ndaj fushatës së SHBA-së në Irani.
“Shiko, pse nuk duhet ta bëj? Italia nuk ka qenë ndihmë për ne dhe Spanja ka qenë e tmerrshme, absolutisht e tmerrshme,” deklaroi ai.
Të dy vendet evropiane kanë qenë ndër më kritikët ndaj veprimeve të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni refuzoi përdorimin e një baze ajrore në Siçili nga forcat amerikane për operacione kundër Iranit, një vendim që Trump e komentoi duke thënë se asaj “i mungon guximi”.
Nga ana tjetër, kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez ka qenë një nga kritikët më të fortë evropianë të kësaj lufte, duke u përballur vazhdimisht me reagime dhe paralajmërime nga presidenti amerikan.
Në disa raste, Trump ka shkuar edhe më tej, duke përmendur mundësinë e pezullimit të anëtarësimit të Spanjës në NATO, çka ka shtuar tensionet mes palëve.
Këto deklarata vijnë në një moment delikat për marrëdhëniet transatlantike, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.





