Vjosa Osmani prezanton kandidaten e re: “Historia e saj lindi nga dhimbja”

Posted by

Vjosa Osmani ka prezantuar Arjeta Musliu si pjesë të ekipit të saj politik, duke bërë të ditur se ajo do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi emocional, Osmani tregoi historinë personale të Musliut, e cila humbi djalin e saj si pasojë e varësisë nga substancat narkotike.

Sipas Osmanit, dhimbja personale e Arjetës është kthyer në një mision për të ndihmuar familjet që përballen me të njëjtin problem dhe për t’u dhënë shpresë të rinjve që luftojnë me varësinë.

“Historia e saj nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se Musliu nuk hyn në politikë për interes personal, por për të përfaqësuar zërin e familjeve që përballen me pasojat e substancave narkotike dhe për të ndihmuar në rikthimin e shpresës tek të rinjtë.

Osmani rikujtoi gjithashtu se në vitin 2021 e kishte dekoruar Arjeta Musliun me Urdhrin Presidencial “Shote Galica” për angazhimin dhe kontributin e saj.

“Ajo do të jetë zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Osmani në fund të postimit të saj.