Bashkimi Evropian ka përgatitur një draft me udhëzime të reja që lidhen me furnizimin me karburant për avionët dhe të drejtat e pasagjerëve në rast anulimesh të fluturimeve.
Sipas dokumentit të përgatitur nga Komisioni Evropian, nëse një fluturim anulohet për shkak të mungesës së përkohshme të karburantit në aeroport, kompanitë ajrore nuk do të detyrohen të paguajnë kompensim shtesë për pasagjerët.
Një situatë e tillë konsiderohet “rrethanë e jashtëzakonshme”, çka përjashton pagesat standarde të kompensimit prej 250 deri në 600 euro, varësisht nga distanca e fluturimit.
Megjithatë, pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtën për rimbursim të plotë të biletës ose për një fluturim alternativ.
Në dokument thuhet se mungesat lokale të karburantit mund të ndodhin në raste të caktuara, por aktualisht nuk ekziston një krizë e përgjithshme në tregun evropian të aviacionit. Autoritetet evropiane paralajmërojnë se një konflikt i zgjatur ndërkombëtar mund të shkaktojë ndërprerje më serioze në zinxhirët e furnizimit.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me çmimet e biletave. BE-ja ndalon kompanitë ajrore që të rrisin në mënyrë retroaktive çmimet për biletat e blera tashmë, edhe nëse kostot e karburantit janë rritur ndjeshëm.
Për paketat turistike, organizatorët mund të rrisin çmimet deri në 8%, por vetëm nëse klientët njoftohen të paktën 20 ditë para nisjes së udhëtimit.
Komisioni Evropian gjithashtu ka sqaruar se nuk ekziston ndalim për përdorimin e karburantit amerikan Jet A, i cili shihet si alternativë e mundshme në rast problemesh me furnizimin.
Ndërkohë, rregullat për përdorimin e “slot-eve” aeroportuale mbeten të pandryshuara, duke detyruar kompanitë ajrore të përdorin të paktën 80% të tyre për të mos i humbur.




