Presidenti i Real Madrid CF, Florentino Pérez, ka komentuar për herë të parë mundësinë e një transferimi të talentit të FC Barcelona, Lamine Yamal, te skuadra madrilene.
Gjatë një interviste për mediat spanjolle, Perez u pyet nëse i pëlqen ylli i ri i Barcelonës dhe nëse ekziston mundësia që ai të transferohet në të ardhmen te Real Madridi.
“Po normal, më pëlqen shumë ai. Por ta transferojmë atë?,” tha Perez duke qeshur. “Lidhja jonë me Barcelonën është e prishur”, shtoi presidenti i klubit madrilen.
Deklarata e tij ka marrë menjëherë vëmendje të madhe në mediat sportive spanjolle, pasi Lamine Yamal konsiderohet si një nga talentët më premtues të futbollit evropian dhe një nga lojtarët kyç të Barcelonës për të ardhmen.
Perez nuk dha më shumë detaje rreth marrëdhënieve mes dy klubeve rivale, por dihet se raportet mes Real Madridit dhe Barcelonës kanë qenë shpesh të tensionuara për shkak të rivalitetit historik në futbollin spanjoll.
Kujtojmë se së fundmi Florentino Perez ka njoftuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale në klubin e Real Madridit, ndërsa vazhdon të mbetet figura kryesore drejtuese e klubit madrilen.






Leave a Reply