Gjykata Supreme rrëzon pagesën 3 euro për shoqëruesit e pacientëve në spitale

Posted by

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ të Ministria e Shëndetësisë që parashihte pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personat shoqërues të pacientëve mbi moshën 15-vjeçare.

Padia ishte ngritur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili kërkoi shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor, konkretisht të pikës 4 të shtojcës 3 të këtij udhëzimi administrativ.

Sipas IKD-së, Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si pagesë për personat që përfitojnë drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet përdorues i këtyre shërbimeve pasi nuk merr trajtim mjekësor apo shërbime diagnostike e terapeutike.

Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se dispozitat e kontestuara nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore dhe zgjeronin në mënyrë të palejuar nocionin e “bashkëpagesës”.

Në aktgjykim theksohet se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë kishte tejkaluar autorizimet ligjore duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.

Sipas njoftimit, tarifimi i shoqëruesve cenon qasjen e barabartë dhe efektive të qytetarëve në kujdesin shëndetësor, sidomos duke marrë parasysh se prania e familjarëve shpesh është e domosdoshme për mbështetjen e pacientëve gjatë hospitalizimit.

Gjykata Supreme ka ritheksuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj.