Sami Lushtaku arrin në Polici pas incidentit në Skenderaj: “I përgjigjem drejtësisë”

Posted by

Sami Lushtaku ka arritur në stacionin policor në Skenderaj, ku pritet të intervistohet lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë në një kafiteri të qytetit.

Në incident ishte përfshirë edhe kreu i degës së Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.

Para intervistimit, Lushtaku reagoi përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se gjithmonë i është përgjigjur institucioneve të drejtësisë dhe se i respekton ato.

“Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka”, shkroi ai.

Lushtaku krahasoi qëndrimin e tij me atë të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk respekton institucionet shtetërore.

“Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës”, tha Lushtaku.

Ai u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe maturi, ndërsa kërkoi që Prokuroria të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente dhe pritet të ketë zhvillime të tjera pas intervistimit të palëve të përfshira.