Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me praninë e njësisë speciale në Skenderaj pas incidentit të ndodhur një ditë më parë.
Ai deklaroi se prezenca e njësisë speciale me armë të gjata ishte një provokim i drejtpërdrejtë nga pushteti.
“Sjellja e njësisë speciale me armë të gjata me urdhër të Sveçlës dhe Albin Kurtit shihet qartë si provokim”, tha Lushtaku.
Sipas tij, reagimi i Policisë ishte i ekzagjeruar krahasuar me raste të tjera në Prishtina, ku sipas tij ndodhin incidente më të rënda pa prezencë të tillë policore.
Ai shtoi se familja Lushtaku nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë dhe se Sami Lushtaku gjithmonë u është përgjigjur institucioneve të shtetit.
“Babai im gjithmonë u është përgjigjur institucioneve të shtetit tonë, për të cilin kanë sakrifikuar dëshmorët, invalidët dhe veteranët”, deklaroi ai.
Mërgim Lushtaku bëri të ditur se ftesa për intervistim ka ardhur në zyrën e Komunës së Skenderajt dhe se ata i janë përgjigjur asaj.
Ai sqaroi gjithashtu se intervistimi i Sami Lushtakut ende nuk kishte filluar, pasi njësiti përgjegjës për intervistim nuk kishte arritur ende në stacionin policor.
Rasti lidhet me incidentin e ndodhur në një kafiteri në Skenderaj, ku ishte përfshirë edhe kreu i degës së Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.




