Hysni Mehani, kreu i Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, ka folur për incidentin e fundit ku, sipas tij, është sulmuar nga Sami Lushtaku.
Në deklaratën e tij, Mehani tha se situata ka shkaktuar shqetësim të madh tek familja e tij dhe se po përpiqet t’i qetësojë ata pas ngjarjes.
“Familja ime është në panik. Po mundohem ta qetësojë familjen time. Lëndimet që kam marrë unë janë të parëndësishme para familjes. Mendjen e kam te fëmijët”, deklaroi ai.
Mehani tregoi se kishte tentuar t’ua minimizonte situatën familjarëve duke u thënë se ishte lënduar aksidentalisht.
“I kam thënë që kam goditur kokën me top, por ata nuk e besojnë”, u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu organet e drejtësisë, duke pyetur pse, sipas tij, Lushtaku ende nuk ishte intervistuar në momentin e deklarimit të tij.
“Çfarë të presim nga një drejtësi ku nuk e kanë thirrur akoma z. Lushtakun?!”, tha Mehani.
Incidenti në Skenderaj ka nxitur reagime të shumta politike dhe qytetare, ndërsa organet e rendit kanë nisur procedurat për trajtimin e rastit.



