Kurti për incidentin në Skenderaj: “Reagimi i Policisë dhe Prokurorisë ishte i vonuar”

Posted by

Kryeministri në detyrë i Kosova, Albin Kurti, ka deklaruar se reagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka qenë i vonuar pas incidentit të ndodhur në Skenderaj, ku u përfshi zëvendësministri i Financave dhe kreu i Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë, Hysen Mehani.

Duke komentuar dërgimin e njësive policore në Skenderaj pas përleshjes me Sami Lushtaku, Kurti tha se askush nuk mund ta sfidojë shtetin dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

“Në Republikën e Kosovës nuk ka forcë, nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesin e shtetit. E shteti është drejtësia e ligjeve”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se në lokalin ku ndodhi incidenti kishte kamera sigurie dhe shumë dëshmitarë, duke theksuar se reagimi i Policisë dhe Prokurorisë është dashur të jetë më i shpejtë.

“Në lokalin në Skenderaj ku është rrahur e përgjakur zëvendësministri Hysen Mehani ka kamera dhe shumë dëshmitarë. Me ç’mora vesh dy veta janë arrestuar, por për përshtypjen time reagimi edhe i Policisë edhe i Prokurorisë ka qenë i vonuar”, tha ai.

Kurti krahasoi rastin me dënimet që, sipas tij, janë shqiptuar më herët ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për postime në rrjete sociale.

“Ta shohim tash prokuroria për ata që marrin me grusht dhe përgjakin zëvendësministra, çfarë dënimi do të kërkojë dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, deklaroi Kurti.

Ngjarja në Skenderaj ka nxitur reagime të shumta politike dhe qytetare, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.