Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka konfirmuar se do t’i japë fund detyrës së tij në klub pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Athletic Bilbao, duke mbyllur kështu një periudhë të rëndësishme në “Santiago Bernabéu”.
Në deklaratën e tij për media, Arbeloa theksoi se vendimi është marrë me emocion, por edhe me bindje se është koha për një kapitull të ri në karrierën e tij.
“Shpresoj që kjo të jetë vetëm një ‘mirupafshim’, sepse ky do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Kam qenë pjesë e Real Madridit për 20 vite në role të ndryshme dhe gjithmonë do ta konsideroj shtëpinë time. Kjo do të jetë ndeshja ime e fundit me Real Madridin… nuk e di nëse do të jetë edhe e fundit e karrierës sime”, u shpreh Arbeloa.
Ai shtoi se ndeshja e fundit para tifozëve madrilenë ka një rëndësi të veçantë emocionale dhe se synimi kryesor është që ajo të jetë një mbrëmje e paharrueshme për tifozët.
“Është një ndeshje e madhe, një lamtumirë para tifozëve. Ndeshja e fundit në shtëpi është gjithmonë speciale dhe ndryshe. Gjëja më e rëndësishme është t’i bëjmë tifozët ta shijojnë atë”, tha ai.
Mohon rikthimin në stafin e Mourinhos
Arbeloa ka mohuar gjithashtu zërat që e lidhnin me një rikthim në staf teknik të José Mourinho, në rast se trajneri portugez do të rikthehej te Real Madridi.
“Nuk jam këtu për të folur për mundësi. Mourinho ka një staf fantastik dhe është shumë mirë i mbështetur. Nëse ai vjen te Madridi, do të sjellë stafin e tij… nuk ka asnjë shans që unë të jem pjesë e tij”, deklaroi ai.
Ai shtoi se pas përfundimit të këtij kapitulli do të marrë kohë për të vendosur për të ardhmen e tij profesionale, duke theksuar se përvoja e fundit ka qenë shumë e vlefshme për zhvillimin e tij.






Leave a Reply