Asamblisti i LDK-së akuzon për punësim partiak në Deçan, zyrtari i AAK-së emërohet në “Higjena”

Posted by

Ardian Binakaj, asamblist i Lidhja Demokratike e Kosovës në Deçan, ka reaguar lidhur me emërimin e Mentor Januzaj në ndërmarrjen publike “Higjena”.

Sipas Binakajt, Januzaj, i cili është anëtar i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetar i nëndegës së kësaj partie në fshatin Isniq, fillimisht është zgjedhur anëtar i Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes dhe më pas edhe kryesues i bordit.

“Bëhet fjalë për një person që ka qenë kandidat i AAK-së për zgjedhjet lokale, që ka qenë aktiv në strukturat e saj, ndërsa së fundmi është zgjedhur edhe kryetar i një nëndege të AAK-së”, deklaroi Binakaj gjatë seancës së Kuvendit Komunal.

Në videon e publikuar nga ai, dëgjohet edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, duke komentuar rastin dhe duke pranuar se praktika të tilla ndodhin shpesh në Kosovë.

“Po, zotëri Ardian, fatkeqësisht, kjo nuk është risi në Kosovë, as në komunën e Deçanit, por as kurrkund”, dëgjohet të thotë Sutaj.

Ai shtoi se punësimet partiake janë bërë “thuajse të pashmangshme” në nivel lokal dhe qendror, pavarësisht debatit ligjor apo etik që mund të hapet për to.

Deklaratat kanë nxitur reagime dhe diskutime lidhur me ndikimin politik në ndërmarrjet publike dhe institucionet komunale në Kosovë.