Temperaturat deri në 32°C në Kosovë, por moti ndryshon nga e enjtja me stuhi…

Posted by

Kosova po përjeton ditët më të nxehta të këtij viti, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 32°C gjatë kësaj jave.

E hëna u karakterizua me mot me diell dhe vranësira të pjesshme, si dhe me rritje të ndjeshme të temperaturave, si pasojë e ndikimit të valës së të nxehtit që ka përfshirë Evropën Perëndimore.

Sipas parashikimeve meteorologjike, e marta dhe e mërkura do të vijojnë me mot kryesisht me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasdites në disa rajone mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu.

Megjithatë, ndryshim i madh i motit pritet të enjten, kur në vend do të depërtojnë masa të ftohta dhe të lagështa nga veriu i kontinentit.

Kjo situatë pritet të sjellë shtim të vranësirave, reshje lokale shiu dhe zhvillime të fuqishme atmosferike, përfshirë rrebeshe, breshër dhe shkarkesa rrufesh, sidomos gjatë orëve të pasdites.

Temperaturat do të pësojnë ulje për disa gradë, ndërsa era pritet të jetë e fuqishme në zonat ku zhvillohen stuhi, me shpejtësi deri në 65 kilometra në orë.

Të premten moti do të jetë më i freskët, me diell dhe vranësira të pjesshme, si rezultat i masave më të ftohta ajrore.

Ndërkaq, fundjava pritet të sjellë përmirësim gradual të motit.

E shtuna do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe rritje graduale të temperaturave, ndërsa të dielën do të ketë alternime mes diellit dhe vranësirave, me mundësi për reshje lokale shiu dhe zhvillime të izoluara me rrufe.

Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 8 deri në 16°C, ndërsa maksimalet nga 23 deri në 32°C. Temperaturat më të larta priten të martën dhe të mërkurën, ndërsa më të ulëtat të enjten dhe të premten.