Ekzekutohen 100 euro shtesa për fëmijët, Hoti jep njoftimin zyrtar

Posted by

Andin Hoti ka njoftuar se sot janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijët.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare bëri të ditur se pagesat janë realizuar në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Qeveria e Kosovës e kishte miratuar këtë pako më 22 maj, vendim që nxiti reagime të shumta politike, pasi ndarja e mjeteve financiare po bëhet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.

Përveç fëmijëve, përfitues të mbështetjes prej 100 eurosh janë edhe pensionistët, studentët dhe të punësuarit në sektorin jopublik.

Eksponentë të partisë në pushtet kanë akuzuar opozitën se kishte bllokuar muajin e kaluar pakon e plotë të ndihmës financiare, ndërsa partitë opozitare e kanë cilësuar këtë vendim si tentativë për blerje vote para zgjedhjeve.

Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 përfshin katër masa kryesore:

  • mbështetje të njëhershme për pensionistët;
  • mbështetje për përfituesit e shtesave për fëmijë;
  • mbështetje për të punësuarit me paga nën 1000 euro në sektorin jopublik;
  • mbështetje për studentët aktivë në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Qeveria ka thënë se këto masa synojnë të ndihmojnë qytetarët në përballimin e rritjes së çmimeve dhe inflacionit.