Agjencia Kadastrale e Kosovës ka pësuar një tjetër ndryshim në udhëheqje, më pak se dy muaj pasi Faik Kelmendi mori detyrën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv.
Sipas një vendimi të siguruar nga Gazeta Insajderi, ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka shkarkuar Kelmendin më 21 maj 2026 dhe në të njëjtën ditë ka emëruar Afërdita Thaqi si ushtruese të detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të AKK-së.
Vendimi me numër protokolli 15/2026 është protokolluar në ministri më 22 maj. Në të thuhet:
“Znj. Afërdita Thaqi caktohet Ushtruese e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës…”
Ndryshimi vjen vetëm pak javë pasi faqja zyrtare e AKK-së kishte njoftuar nisjen e mandatit të Faik Kelmendit, duke premtuar rritje të efikasitetit, transparencës dhe modernizim të sistemit kadastral.
Agjencia Kadastrale e Kosovës konsiderohet një nga institucionet më sensitive në vend, pasi menaxhon regjistrat pronësorë dhe projekte milionëshe që lidhen me kadastrën dhe pronat në Kosova.
Lëvizjet e shpeshta në pozitat udhëheqëse të këtij institucioni kanë nxitur diskutime dhe kritika lidhur me stabilitetin institucional dhe menaxhimin e sektorit të pronave.




