Eman Rrahmani: Mbi 250 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë qeverisjes Kurti

Posted by

Eman Rrahmani ka akuzuar Albin Kurti dhe qeverinë e tij për emigrimin masiv të qytetarëve nga Kosova gjatë viteve të fundit.

Sipas kandidatit për deputet, mbi 250 mijë shqiptarë kanë emigruar nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës dhe kushteve ekonomike.

Rrahmani e ka cilësuar si shqetësuese procedimin e Ligjit për Shtetësinë në fund të mandatit qeverisës, duke pretenduar se ai mund të ketë pasoja afatgjata për strukturën demografike të vendit.

“Shqiptarët po largohen masivisht nga Kosova, ndërsa qeveria po merret me ligje që mund të hapin rrugë për ndryshime afatgjata në strukturën demografike të shtetit. Kjo është një politikë e gabuar që rrezikon interesin kombëtar”, ka deklaruar Rrahmani.

Ai ka kërkuar që institucionet të fokusohen më shumë në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve ekonomike dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë, në mënyrë që të ndalet trendi i emigrimit.

Deklarata e tij vjen në kuadër të debatit politik para zgjedhjeve të 7 qershorit, ku çështjet e ekonomisë, migrimit dhe zhvillimit demografik po zënë vend të rëndësishëm në fushatën zgjedhore.