Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, pas përmbylljes së procesit të rinumërimit të votave.
Në mbledhjen e KQZ-së janë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve politike, me përjashtim të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Vendimi është marrë me tre vota pro, dy kundër nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë kanë abstenuar.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar procesin, duke deklaruar se KQZ-ja ka shkelur procedurat ligjore, fillimisht duke shpallur rezultate pa u përmbyllur afatet për ankesa dhe më pas duke publikuar rezultate të pjesshme. Sipas tij, situata nuk duhej të zgjidhej përmes votimeve politike brenda KQZ-së, por përmes mekanizmave ligjorë.
Rezultatet e partive
Sipas rezultateve përfundimtare:
- Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10% të votave apo 57 ulëse në Kuvend,
- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 20.19% apo 22 ulëse,
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 13.24% apo 15 ulëse,
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.50% apo 6 ulëse.
Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë i ka fituar Lista Serbe dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rinumërimi dhe hetimet
Procesi i rinumërimit është zhvilluar pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë. Gjatë këtij procesi, votat për disa kandidatë kanë pësuar ndryshime të mëdha, në disa raste deri në 6 mijë vota për individ, ndërsa votat për partitë politike nuk janë prekur.
Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e hetimeve lidhur me parregullsitë e konstatuara.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi përbëhet nga 120 ulëse, prej të cilave 10 janë të rezervuara për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera joserbe.





