Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionalizuar platformën elektronike zyrtare për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2026.
Përmes kësaj platforme, qytetarët, mediat dhe vëzhguesit mund të përcjellin në kohë reale të dhënat për pjesëmarrjen në votime dhe rezultatet preliminare për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka sqaruar mënyrën e funksionimit të sistemit.
“Në këtë platformë do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime në gjashtë orare (09:00; 11:00; 13:00; 15:00; 17:00 dhe 19:00) nga Qendrat e Votimit dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime”, ka njoftuar Elezi.
Sipas KQZ-së, pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, procesi i numërimit do të zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj.
Numërimi i votave për subjektet politike do të bëhet menjëherë në vendvotime, ndërsa votat për kandidatët individualë për deputetë do të numërohen më vonë në Qendrat Komunale të Numërimit.
KQZ ka bërë të ditur se të gjitha rezultatet dhe përditësimet zyrtare mund të ndiqen përmes platformës së dedikuar zgjedhore.
Ky sistem synon të rrisë transparencën e procesit zgjedhor dhe të mundësojë informim të shpejtë dhe të saktë për publikun gjatë natës së zgjedhjeve.





