Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka publikuar një video në rrjetet sociale përmes së cilës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Në videon e shpërndarë në Facebook, Murati përdor një qasje jo të zakonshme, duke iu referuar temperaturave dhe motit më të freskët në orët e pasdites.
“Dil voto edhe ti se u bë fllad. Nuk është më ai zhegu i paradites, koha është shumë e freskët kështu që ja vlen me dalë… Dil voto, mos e le pa votu, ftoj miqtë, akrabatë, krejt duhet me dalë me votu sot”, dëgjohet të thotë Murati në video.
Publikimi i videos vjen në një kohë kur pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ka rezultuar më e ulët krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Thirrje për pjesëmarrje në votime gjatë ditës kanë bërë edhe figura të tjera politike dhe publike, me synimin për të nxitur qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike para mbylljes së qendrave të votimit.
Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit përfundon në orën 19:00, kur edhe nis numërimi i votave në vendvotimet në mbarë vendin.





