Fisnik Asllani në radarët e gjigantëve evropianë

Posted by

Fisnik Asllani vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në tregun evropian të transferimeve pas paraqitjeve të shkëlqyera me TSG Hoffenheim gjatë sezonit 2025/26.

Sipas raportimeve të mediumit gjerman Bild, RB Leipzig ka nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e sulmuesit kosovar, duke e konsideruar atë si një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv.

Megjithatë, bisedimet thuhet se janë ende në fazat fillestare dhe deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete mes palëve.

23-vjeçari ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit 2029, por raportimet sugjerojnë se largimi i tij mund të realizohet përmes një klauzole lirimi që kap vlerën e rreth 30 milionë eurove.

Interesimi për reprezentuesin e Kosovës nuk kufizohet vetëm te Leipzig. Sipas raportimeve, edhe Borussia Dortmund e ka monitoruar prej kohësh zhvillimin e tij, ndërsa së fundmi është përmendur edhe interesimi i FC Barcelona, me trajnerin Hansi Flick që thuhet se ka kërkuar informacione për lojtarin përmes agjentit të tij.

Megjithëse Leipzig mbetet një nga klubet më të interesuara për momentin, mediat gjermane raportojnë se brenda klubit ekzistojnë disa dilema për shkak të konkurrencës së madhe në repartin ofensiv dhe numrit të sulmuesve që aktualisht ka në dispozicion skuadra.

Asllani po vjen nga sezoni më i mirë i karrierës së tij, ku regjistroi 10 gola dhe 9 asistime në 33 ndeshje të Bundesligës, statistika që e kanë shndërruar në një nga futbollistët më të kërkuar të momentit në tregun evropian.

Nëse transferimi realizohet, ai mund të bëhet një nga lëvizjet më të mëdha në karrierën e një futbollisti kosovar në vitet e fundit.