Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor në Suharekë ka shënuar sukses të rëndësishëm gjatë kësaj jave, duke identifikuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në raste të ndryshme vjedhjeje.
Sipas njoftimit zyrtar, ky rezultat është arritur falë hetimeve të hollësishme dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës. Hetuesit kanë intervistuar të dyshuarin E.B. nga Fushë-Kosova, i cili në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar plotësisht përfshirjen në rastin e vjedhjes.
Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, policia ka identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, ndaj të cilëve po vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit, duke punuar pa ndërprerje për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e kryesve të veprave penale, veçanërisht atyre që cenojnë sigurinë dhe pronën e qytetarëve.
Autoritetet rikujtojnë se krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin maksimal për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.





