Dortmundi rikthehet për Fisnik Asllanin, sulmuesi i Kosovës i hapur për transferimin

Posted by

Ylli i Kosovës, Fisnik Asllani, vazhdon të jetë në radarët e Borussia Dortmund për afatin kalimtar të verës.

Sipas raportimeve të mediumit gjerman Bild, drejtuesit e Dortmundit kanë zhvilluar biseda të reja me përfaqësuesit e sulmuesit 23-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e TSG Hoffenheim.

Burimet bëjnë të ditur se Asllani është “shumë i hapur” ndaj mundësisë për t’u transferuar te një nga klubet më të mëdha të Gjermanisë, megjithëse ende nuk ka negociata konkrete mes klubeve.

Megjithatë, zhvillimet rreth transferimit varen nga lëvizjet që do të ndodhin në repartin ofensiv të Dortmundit. E ardhmja e Serhou Guirassy dhe Karim Adeyemi konsiderohet vendimtare për hapësirën që mund të krijohet për Asllanin.

Nëse të dy sulmuesit mbeten në skuadër, transferimi i kosovarit bëhet më i vështirë. Por në rast të largimit të njërit prej tyre, Dortmundi mund të intensifikojë menjëherë përpjekjet për ta transferuar.

Asllani ka tërhequr vëmendjen e futbollit gjerman fillimisht me paraqitjet e tij te SV Elversberg, ku luajti si i huazuar, ndërsa më pas vazhdoi zhvillimin e tij te Hoffenheimi në Bundesliga.

Raportohet se në kontratën e tij ekziston një klauzolë largimi prej rreth 30 milionë eurosh për klubet që kanë marrë pjesë në UEFA Champions League gjatë tre viteve të fundit, ndërsa për klubet e tjera shuma mund të jetë më e ulët, rreth 25 milionë euro.

Përveç Dortmundit, interes serioz për reprezentuesin kosovar ka shfaqur edhe RB Leipzig, duke e bërë garën për shërbimet e tij edhe më interesante.

Një faktor i rëndësishëm në këtë histori mbetet drejtori sportiv i Dortmundit, Ole Book, i cili e njeh mirë Asllanin nga bashkëpunimi i tyre te Elversbergu dhe konsiderohet një mbështetës i madh i transferimit të tij në “Signal Iduna Park”.

Pas një sezoni mbresëlënës në Bundesliga, Asllani po konsiderohet si një nga talentët më premtues të futbollit kosovar dhe emri i tij pritet të jetë ndër më të përfolurit gjatë merkatos verore.