Kastrati ka reaguar publikisht pas incidentit të rëndë që përfshiu nënën e tij, duke dhënë sqarime lidhur me raportin që kishte me personin e dyshuar dhe rrethanat që paraprinë ngjarjen.
Në reagimin e tij, ai ka treguar se e njeh familjen e personit të përfshirë prej vitesh.
“Ernestin e kom njoft kur ka ardhë i ri te Plisat. Batonin, nanën e tij dhe babën e ndjerë i njoh. Ernestin vetë nuk e kom pa gati 15 vjet”, ka shkruar ai.
Kastrati ka sqaruar gjithashtu deklaratat e mëhershme ku kishte përmendur thirrjen “Allahu Ekber” gjatë incidentit.
“Kur e kom përmend fenë, nuk e kom bo me ofendu askënd. Unë jam 47 vjeç dhe 34 Ramazana i kom agjëru. Arsyeja pse e kom përmend është se gjatë rastit ka bërtit ‘Allahu Ekber’, e edhe disa mesazhe që m’i ka çu mu dhe shokëve të mi nuk të lënë shumë hapësirë me mendu ndryshe”, ka thënë ai.
Sipas tij, personi në fjalë kishte kohë që i shkruante atij dhe shokëve të tij, por këto mesazhe nuk ishin marrë seriozisht.
Ai ka treguar se një ditë para incidentit kishte takuar edhe nënën e të dyshuarit, e cila, sipas tij, kishte shprehur shqetësimet për situatën e të birit.
Kastrati ka theksuar se familja e tij nuk ka pasur asnjë konflikt me familjen e të dyshuarit dhe se përgjegjësia për ngjarjen është individuale.
“Familja jonë kurrë nuk ka pasë problem me familjen e tij. Përkundrazi, edhe nana jem e ka prit nanën e tij me ardhë me e pa. As nana e tij, as Batoni nuk mbajnë asnjë faj për atë që ka ndodhë. Përgjegjësia është individuale”, ka shkruar ai.
Ai ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të Policia e Kosovës dhe stafit të Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për ndihmën e ofruar ndaj nënës së tij.
Në fund të reagimit, Kastrati ka treguar se gjatë incidentit kishte menduar vetëm për sigurinë e familjes së tij.
“Shumë njerëz më kanë thanë: ‘Pse nuk e ke mbyt?’ E para, aty e kom pasë nanën, gruan dhe djalin e vogël dhe krejt mendjen e kom pasë me i mbrojt ata. Me thanë të drejtën, kom pasë mundësi me i shkaktu shumë dëm, po jom nal. Më kanë dalë para syve nana, gruaja dhe djali jem. Jom mundu me majt veten nën kontroll dhe ashtu ka ndodhë”, ka përfunduar ai.





