Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme, ndërsa rezultatet e deritanishme kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse nga 100 mandatet që u takojnë deputetëve shqiptarë.
Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet forca e katërt politike në vend me 7 ulëse në Kuvend.
Ndryshime në listën e PDK-së
Votat e diasporës kanë ndikuar në përbërjen e grupit parlamentar të PDK-së, duke sjellë ndryshime në renditjen e kandidatëve.
Një nga përfituesit kryesorë është Rrustem Mustafa, i cili ka arritur të rikthejë mandatin e deputetit falë mbështetjes së marrë nga votuesit jashtë vendit.
Ndërkohë, përmes kuotës gjinore, mandate deputetesh kanë siguruar Eliza Hoxha dhe Ariana Musliu-Shoshi.
Si pasojë e aplikimit të kuotës gjinore, jashtë Kuvendit kanë mbetur dy emra të njohur të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Xhavit Haliti.
Po ashtu, ndikimi i votave të diasporës është reflektuar edhe te kandidati Hajdar Beqa, i cili humbi mundësinë për të siguruar ulëse pasi PDK-ja rezultoi me një mandat më pak.
Me përfundimin e numërimit, pritet të qartësohet përfundimisht përbërja e Kuvendit të ri dhe emrat e deputetëve që do të përfaqësojnë qytetarët në legjislaturën e ardhshme.





