Kandidati i Lëvizja Vetëvendosje për deputet, Fatos Geci, ka tërhequr vëmendje me një postim të publikuar në rrjetet sociale, ku ka falënderuar mërgatën për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet parlamentare.
Në postimin e tij në Facebook, Geci ka shkruar:
“Bastioni im quhet MËRGATË. Shihemi në Legjislaturën e 11-të. Faleminderit.”
Deklarata është interpretuar si një sinjal se ai beson se ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar plotësisht.
Megjithatë, sipas rezultateve të deritanishme të numërimit, Geci renditet në pozitën e 61-të në listën e kandidatëve të LVV-së, me 13,925 vota.
Rezultatet përfundimtare ende nuk janë certifikuar dhe mbetet të shihet nëse votat e mbetura, përfshirë ato të diasporës dhe kategorive të tjera të veçanta, mund të ndikojnë në renditjen finale të kandidatëve.
Postimi i Gecit ka nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, ku një pjesë e mbështetësve e kanë përgëzuar për rezultatin, ndërsa të tjerë kanë vënë në pikëpyetje deklarimin e mandatit para publikimit të rezultateve përfundimtare.




