Sabit Mustafa, rreth 57-vjeçar, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në një rast të tentim-vrasjes në Prishtinë.
Sipas informacioneve të publikuara, Mustafa dyshohet se qëndron pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën në orët e para të mëngjesit të 16 qershorit në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë.
Objektiv i sulmit dyshohet të ketë qenë një 26-vjeçar me inicialet F.V.
Sipas hetimeve paraprake, njëri nga plumbat ka depërtuar në xhamin e pasmë të automjetit të viktimës. Për fat të mirë, nga incidenti nuk është raportuar asnjë person i lënduar.
Pas raportimit të rastit, hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në koordinim me prokurorin kompetent, kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore dhe kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në sulm.
Megjithatë, Sabit Mustafa nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe aktualisht ndodhet në arrati. Autoritetet kanë nisur kërkimin për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa arma e sekuestruar do t’i nënshtrohet ekzaminimeve forenzike për të përcaktuar nëse është përdorur në incidentin e raportuar.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.




