Ish-nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se performanca e LDK-së nuk mund të konsiderohet sukses.
Përmes një reagimi publik, Veliu ka theksuar se rezultati i arritur nga partia nuk përmbush pritjet dhe se për këtë duhet të ketë përgjegjësi politike.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Vjosa Osmani, të cilët ai i cilësoi si arkitektët kryesorë të projektit politik të ndjekur nga partia.
“Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile. Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, ka shkruar Veliu.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur brenda LDK-së po zhvillohen diskutime lidhur me rezultatin zgjedhor dhe performancën e kandidatëve në zgjedhjet e fundit.
Komentet e Veliut pritet të nxisin debat të ri brenda partisë, veçanërisht për analizën e rezultatit dhe drejtimin politik që do të ndjekë LDK-ja në periudhën e ardhshme.
Deri tani nuk ka pasur reagim publik nga Abdixhiku apo Osmani lidhur me deklaratat e ish-nënkryetarit të partisë.





