Tregu i kriptomonedhave po përjeton një rënie të thellë. Bitcoin ka rënë nën 67 mijë dollarë.
Tregu global i kriptomonedhave po përjeton një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit, me rënie të ndjeshme të çmimeve dhe rritje të pasigurisë tek investitorët.
Çmimi i Bitcoin, kriptomonedha më e madhe dhe më e njohur në botë, ka rënë nën nivelin e 67 mijë dollarëve, duke shënuar një nga rëniet më të mëdha që nga fundi i vitit 2024. Kjo lëvizje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në kriptomonedhat e tjera kryesore, të cilat kanë ndjekur të njëjtin trend negativ.
Vetëm gjatë javës së fundit, kapitali total i tregut të kriptomonedhave ka humbur mbi 500 miliardë dollarë, duke shkaktuar shqetësim dhe panik tek një pjesë e investitorëve, veçanërisht ata më të rinj në treg.
Sipas analistëve, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie janë largimi i kapitalit nga asetet me rrezik të lartë, vështirësitë financiare të disa kompanive të mëdha të lidhura me kriptovalutat, si dhe shitjet masive nga investitorë institucionalë dhe “balena” të tregut.
Opinionet mes analistëve mbeten të ndara: disa e shohin këtë situatë si një mundësi të favorshme për blerje afatgjatë, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se rënia mund të vazhdojë derisa besimi në treg të rikthehet plotësisht.
Tregu i kriptomonedhave, i njohur për volatilitetin e tij të lartë, po përballet me sfida të reja në këtë fillim dekade, ndërsa investitorët po ndjekin me kujdes çdo lëvizje të Bitcoin dhe kriptovalutave të tjera kryesore.






Leave a Reply