Grabitje e armatosur në Prizren: Arrestohen tre persona, një tjetër në arrati

Posted by

Policia në Prizren ka arrestuar tre persona të dyshuar për një grabitje të armatosur ndaj dy viktimave.

Me datë 03.02.2026, rreth orës 01:10, Policia e Kosovës ka pranuar një ankesë nga dy viktima, një mashkull dhe një femër, lidhur me një rast grabitjeje të ndodhur në Prizren.

Sipas deklarimeve të viktimave, tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta, duke i kanosur, u kanë marrë një shumë parash që ata kishin me vete.

Pas një pune intensive hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar. I dyshuari i parë është arrestuar pranë një lokali në Prizren, ku gjatë kontrollit në trupin e tij është gjetur një armë zjarri. Po ashtu, në automjetin e tij janë sekuestruar një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.

Me një plan taktik dhe mbështetje nga njësitë e tjera policore, edhe dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër në Prizren. Me urdhër të Prokurores së rastit, janë realizuar bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve si dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë relevante për hetimin.

Dy nga të dyshuarit, në prezencë të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale. Me vendim të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit: K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë.

I dyshuari i katërt, V.S., nuk është hasur në shtëpinë e tij dhe aktualisht ndodhet në arrati, ndërsa Policia po vazhdon kërkimet për arrestimin e tij.

Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve – Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.